Shoqata "Albnatyra" ka si mision te saj mbrojtjen me fanatizem te resurseve natyrore te Shqiperise. Natyra Shqiptare ka nevoje per me shume mbeshtetje qytetare, per te reaguar dhe marre pjese ne aktivitetet ndaj mbrojtjes se mjedisit
Sunday, November 4, 2018
Zjarr në pyjet e UNESCO-s, Rrajcë Parku Kombëtar Shebenik
Ka më shumë se dy ditë që zjarri ka rënë në pyjet e zonës UNESCO në Rrajcë pjesë e parkut kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Administrata e Zonave të Mbrojtura me stafin e saj po përpiqet me të gjitha mundësitë e tyre për të neutralizuar flakët që po djegin një pyll me vlera shumë të rralla e veçanta e cila para dy vitesh u shpall nga Unesco si zonë natyrore e trashëgimnisë natyrore. Zjarri tashmë po përparon ndërkohë që strukturat e tjera të ngarkuara në rast emergjencash nuk po funksionon. Shtabi i emergjencave që përfshin MKZ, bashkitë,policia e shtetit dhe institucionet e tjera nuk po reagojnë. Policia e shtetit duhet që të marrë masat që të kryejë hetimet përkatëse sepse nuk është hera e parë që zjarri vendoset në këtë zonë të mbrojtur.Kohët e fundit në Rrajcë janë shfaqur 5 raste zjarri që vendosen qëllimisht kjo për faktin se ka njerëz të pa përgjegjshëm dhe që duan ta djegin pyllin me qëllim që më vonë të shesin dru zjarri. Administrata e parkut ka proceduar disa herë persona që presin dhe shesin dru zjarri në këtë zonë por që nga policia dhe prokuroria nuk janë marrë masat e duhura për këto shkelës të ligjit. Zona e Rrajcës tashmë po fillon të zhvillojë turizmin si një mundësi shumë e mirë për punësim dhe zhvillim të zonës së Rrajcës me një turizëm të qëndrueshëm.Institucionet përkatëse duhet të marrin masat për shuarjen e zjarrit me qëllimin e vetëm që të mbrojmë këtë zonë me vlera unikale botërore.