Wednesday, February 7, 2018

Vritet kaprolli në Çermenikë!

Të njohim dhe të ruajmë kafshët e rralla të krahinës

Nga: Prend GJONI


A vritet Kaprolli i Çermenikës!?

Shkas për të shkruar këtë artikull u bë biseda që pata me kushëririn tim, që banon në Tiranë, icili kishte qenë në fshatin e tij të lindjes, dhe më tha se kishte ngrënë mish kaprolli. – “Po ku e gjetët kaprollin?!” – e pyeta i çuditur, pasi kisha menduar se kaprolli kishte kohë që ishte zhdukur nga pyjet e Çermenikës. – “E kishte vrarë një kushëri i ynë i përbashkët, në pyllin Pas-Gurit të Muzhaqit”. Kaprolli kishte qenë femër, pra një sorkadhe, dhe kishte qenë duke kullotur të vegjëlit e saj në pyll.
Tregimin e përjetova me emocion: U hidhërova për faktin që ishte vrarë një kafshë aq e bukur, siç është sorkadhja, por edhe u gëzova shumë për faktin tjetër,që, në pyllin e Gurit të Muzhaqit, jetojnë akoma kaprojtë, kafshë aq të bukura dhe aq të rralla në vendin tonë. Kaprolli, por veçanërisht femra e tij (sorkadhja), me bukurinë fizike dhe hiret që e mbulojnë, kanë frymëzuar shumë poetë dhe këngëtarë që i kanë thurur bukurisë së saj vargjet më të bukura.Edhe populli i ynë, kur i ka kënduar bukurisë së femrës, e ka krahasuar me sorkadhen. Poetët tanë të Rilindjes Kombëtare, sipas traditës popullore, bukurinë e femrës shqiptare e kanë krahasuar me bukurinë e sorkadhes. Poeti ynë Kombëtar Naim Frashëri me dhjetra here, gjatë krijimtarisë së tij poetike, do t’i krahasojë bukurinë e vajzës me bukurinë e sorkadhes. Në poemën e njohur “Bukuria” Naimi shkruan : O veri, pa hiq, i thua/ sorkadhesë qafëgjatë:/ Më kadhënë pyllë mua,/ s’mblidhem dot as dit’ as natë!” (N. Frashëri: “Poezi”, Tiranë 1977, faqe 52). Kërshëria dhe interesi për kaprollin, për këtë kafshë të bukur dhe të rrallë të krahinës dhe të vendit tonë, më shtyu që të kërkoja nëpër literatura për të mësuar më shumë për këtë kafshë mebukuri fisnike të pa krahasueshme. Në “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, botim i Akademisë sëShkencave (1985), në zërin “Kaprolli” shkruhet: “KAPROLLI: (Capreolus capreolus L.) Gjitar barngrënës, ripërtypës, çift thundror i familjes së drerëve (Carvidae) me trup të hijshëm, të lartë60-70 cm, i gjatë deri 130 cm, peshon 15-25 kg, me ngjyrë gri të përhimtë në dimër dhe të kuqërremtë në verë. Është kafshë me dimorfizëm seksual, femra njihet me emrin sorkadhe dhe është pa brirë, mashkulli ka brirë të degëzuar që i ndërron çdo vit në periudhën nëntor-maj. Jeton në zonat pyjore me klimë mesdhetare. Në Shqipëri ndeshet në pjesën J, JL, VL dhe V, dikurishte mjaft i përhapur edhe në pyjore bregdetare, rron rreth 15 vjet. Ushqehet me bar, gjethe,sythe, lastarë të njomë dhe fara të ndryshme. Femra mbarset në korrik-gusht, mbas 9 muajsh pjell një, dy, rrallë tre të vegjël, që qëndrojnë me mëmën deri në vitin e dytë. Në vjeshtë e në dimër takohen në tufa të vogla. Ka gëzof të vlefshëm, mbrohet me ligj”. (FESh, Tiranë 1985, faqe 454). Në librin e autorit Prof. Dr. Kastriot Misja (Shoqata e Biologëve të Shqipërisë) të titulluar“Libri i kuq i Faunës Shqiptare”, (Tiranë 2002), botim i Qëndrës Rajonale të Mjedisit (REC),shkruan: “Numri i gjallesave shtazore, që kërcënohen dhe rrezikohen për t’u zhdukur, sa vjen e shtohet. Per ruajtjen dhe mbrojtjen e kësaj pasurie të madhe natyrore, sot zhvillohet një aktiviteti gjërë dhe masiv në shkallë botërore. Aktivizimi i Shqipërisë për këtë lëvizje sa vjen dhe po rritet(faqe 3). 99 – Kaprollin (Capreolus capreolus). Gjkt. 75-120 cm. Statusi: lloj i keqësuar (V); Masa e propozuar: Gjueti rreptësisht e kontrolluar. Sipërfaqet ku takohet të merret në mbrojtje” (faqe 60). Bashkëkrahinarë çermenikas! Ruajeni dhe mbrojeni Kaprollin! Kaprolli është një pasuri kombëtare që rrezikon të zhduket. Ndihmojeni kaprollin të mbijetojë se ai do t’jua shpërblejë!(Botuar në gazetën “Çermenika”, Nr. 14, 2005)
                                                              Reagime nga banoret
Shkruar ne  Gazeta Çermenika nga:   Prend GJONI